Mp3 shqip - Videoklipe - SmS Falas

January 20, 2007

Klipi i Ledina Çelos, kopje e Christina Aguileres

Filed under: Vip - at Shqiptar — regaton @ 8:53 pm

A mund të jenë të rastësishme ngjashmëritë thuajse identike, që ekzistojnë mes videoklipit të fundit të Ledina Çelos dhe videoklipit të Kristina Aguilerës? Edhe një sy joprofesionist në këtë drejtim është në gjendje të kuptojë që videoklipi i këngës “Të ndiej të huaj” është thuajse i njëjtë me videoklipin e këngës “The voice within” të Kristina Agilerës. Mund të duket e pabesueshme, se si është e mundur që një këngëtare me pretendime dhe profesioniste si Ledina të arrijë deri këtu. Por kur gjërat duken hapur dhe janë lehtësisht të krahasueshme, është e vështirë të mohohen. Një këngë e suksesshme, e kënduar me profesionalizëm dhe e vlerësuar me çmimin e dytë në festivalin “Kënga magjike” pak kohë më parë, “Të ndiej të huaj” shfaqet edhe me një videoklip. Një plan i afërt i këngëtares, e cila këndon e ulur në karrige. Më pas plani largohet, këngëtarja çohet nga karrigia ku qëndronte e ulur dhe nis të vrapojë midis disa rrugicash të ngushta. I njëjti sfond, të njëjtat imazhe e madje çuditërisht edhe të njëjtat lëvizje të dorës, si tek Ledina edhe Kristina. Por me një ndryshim: në momentin që ngre dorën, tek Ledina dalin pak mbathjet, ndërsa tek rebelja Kristinë ky element nuk shfaqet. Por nuk duhet shumë vëmendje për të kuptuar, që edhe fustani që Ledina ka veshur në klipin e saj është pothuajse identik me fustanin e Kristina Agilerës. I shkurtër, me rripa. Ecim më tej. Kristina e zbathur. Ledina po ashtu. Por megjithëse ka imituar krejtësisht videoklipin e Kristina Agilerës, këngëtarja shqiptare ka lënë dy elementë origjinalë: Kristina është me flokë të zeza, kurse Ledina bionde; e ndërsa videoklipi i këngëtares amerikane është punuar krejtësisht bardh e zi, Ledina dhe producentët e saj nuk kanë ngurruar të fusin disa ngjyra. Një tjetër ndryshim mes dy këngëtareve është koha. “The voice within” është prezantuar për publikun në janar të vitit 2006, kurse videoklipi i këngës “Të ndiej të huaj” shfaqet në fund të këtij viti. Kohë e mjaftueshme për t’i marrë elementët në detaje. Dhe nëse të gjitha këto duken të dyshimta, atëherë fansat e Ledinës apo të Kristinës do ta kenë shumë të lehtë ta bëjnë vetë krahasimin duke kërkuar në internet nën titullin “The voice within”, ku mund të shohin on line videoklipin e ekzibicionistes Kristina Agilera, ndërkohë që në stacionet muzikore shqiptare kanë mundësi të shohin performancën e Ledinës.

No Comments »

No comments yet.

RSS feed for comments on this post. TrackBack URL

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Powered by WordPress